Secondary Adv

Një dekadë e humbur për arsimin, Shqipëria me shpenzimet më të ulëta në Europë

Shqipëria shpenzon vetëm 3,2 për qind të PBB-së për arsimin, shumë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian.

Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me financimin më të ulët publik për arsimin në Europë, ndërsa gjatë dekadës së fundit pesha e shpenzimeve për këtë sektor në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Në vitin 2015, vendi shpenzonte për arsimin 3,1 për qind të PBB-së, ndërsa dhjetë vjet më vonë ky tregues arriti në vetëm 3,2 për qind, duke regjistruar një rritje minimale prej 0,1 pikë përqindjeje.


Ky ndryshim i papërfillshëm tregon se arsimi nuk ka marrë shtysën financiare të nevojshme për të mbështetur transformimin ekonomik të vendit dhe për të krijuar mundësi më të mira punësimi për të rinjtë, në një periudhë kur kostot e jetesës kanë vijuar të rriten.


Gjatë dekadës së fundit, sektori i arsimit është përballur me tkurrje dhe përkeqësim të cilësisë, siç pasqyrohet edhe në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA. Kjo ka ndodhur në një kohë kur vendet europiane kanë shtuar vëmendjen ndaj investimeve në teknologji, aftësi digjitale, inovacion dhe arsim profesional, me synimin për t'iu përshtatur ndryshimeve të tregut të punës.


Investimet në infrastrukturë mbi 5 për qind të PBB-së, arsimi mbetet në vendnumëro

Ndërsa financimi i arsimit ka mbetur pothuajse i pandryshuar, investimet publike në asetet fizike të infrastrukturës kanë zënë mesatarisht mbi 5 për qind të PBB-së gjatë dekadës së fundit.


Megjithatë, pavarësisht peshës së lartë të këtyre investimeve, Shqipëria vijon të ketë mangësi edhe në infrastrukturë. Problemet lidhen me mungesën e studimeve të fizibilitetit dhe rastet e korrupsionit të evidentuara në shumë projekte.


Kjo mënyrë e shpërndarjes së burimeve buxhetore ka kufizuar mundësitë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, ndërsa ekonomia shqiptare ka vijuar të mbështetet në sektorë që, në një pjesë të konsiderueshme, krijojnë vende pune me produktivitet dhe paga të ulëta.


Mungesa e një rritjeje të ndjeshme të financimit për arsimin ka kufizuar gjithashtu mundësitë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin e aftësive dhe përgatitjen e të rinjve për kërkesat e reja të ekonomisë.


BE shpenzon 4,7 për qind të PBB-së për arsimin, Shqipëria vetëm 3,1 për qind në vitin 2024

Hendeku i financimit bëhet më i dukshëm kur shpenzimet publike për arsimin në Shqipëri krahasohen me ato të vendeve të Bashkimit Europian.


Sipas të dhënave të Eurostat, qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian shpenzuan rreth 860 miliardë euro për arsimin gjatë vitit 2024, shumë që përfaqësonte 4,7 për qind të PBB-së së BE-së.


Në të njëjtin vit, Shqipëria shpenzoi për arsimin vetëm 3,1 për qind të PBB-së, duke regjistruar një diferencë prej 1,6 pikësh përqindjeje krahasuar me mesataren europiane.


Për të arritur nivelin mesatar të Bashkimit Europian, Shqipëria do të duhej të rriste financimin për arsimin me rreth 55 për qind në raport me nivelin e vitit 2024.


Diferenca është edhe më e madhe në krahasim me vendet e Europës Veriore, të cilat tradicionalisht i kushtojnë një peshë më të lartë të buxhetit publik zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të sistemit arsimor.


Shqipëria mbetet pas edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor

Financimi i ulët i arsimit në Shqipëri evidentohet edhe nga krahasimi me vendet e rajonit. Sipas të dhënave të Eurostat dhe Bankës Botërore, Bosnjë-Hercegovina shpenzon për arsimin gati 4 për qind të PBB-së, ndërsa Serbia rreth 3,4 për qind.


Këto nivele janë më të larta se financimi prej 3,1 për qind të PBB-së që Shqipëria regjistroi në vitin 2024, duke treguar se hendeku nuk kufizohet vetëm në krahasimin me ekonomitë më të zhvilluara të Bashkimit Europian.


Për më tepër, diferenca në përqindje të PBB-së nuk pasqyron plotësisht pabarazinë reale në burimet financiare që vihen në dispozicion të arsimit.


Duke qenë se ekonomitë europiane kanë të ardhura për frymë shumë më të larta, shpenzimet për arsimin në vlerë absolute, si dhe financimi për çdo nxënës apo student, janë përgjithësisht shumë më të mëdha sesa në Shqipëri.


Kjo do të thotë se sistemi arsimor shqiptar përballet me një hendek të dyfishtë financimi: një peshë më të ulët të shpenzimeve në raport me PBB-në dhe burime më të kufizuara në vlerë absolute.


Të dhënat e dekadës së fundit tregojnë se, ndërsa vendet europiane kanë investuar në zhvillimin e aftësive, teknologjinë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore, Shqipëria nuk ka regjistruar një rritje të krahasueshme të financimit publik për arsimin.


Me shpenzime që kanë lëvizur nga 3,1 për qind e PBB-së në vitin 2015 në vetëm 3,2 për qind dhjetë vjet më vonë, arsimi mbetet një nga sektorët ku investimet publike nuk kanë ndjekur nevojat për përmirësimin e cilësisë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat